“Dorëzoni pengmarrësin dhe hajduten!” – Berisha shpërthen në Kuvend: Ergys Agasi ka marrë dy pengje për Ramën, Balluku të vijë para ligjit!

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndezur edhe më tej tensionet në Kuvend, duke deklaruar se parlamenti nuk mund t’i kthehet normalitetit pa u paraqitur para drejtësisë Belinda Balluku dhe Ergys Agasi.

Nga salla plenare, Berisha hodhi akuza të rënda, duke e cilësuar Ergys Agasin si “pengmarrës” dhe “terrorist”, ndërsa Belinda Ballukun si simbol të vjedhjes dhe korrupsionit qeveritar.

“Kushtetuta dhe ligji janë feja jonë politike. Dorëzoni Ergys Agasin dhe Lubi Ballukun. Agasi është terrorist, ka marrë dy pengje për Edi Ramën. Sillni Lubinë këtu, jo ‘vidh e ik’. Kjo nuk mund të ndodhë më”, deklaroi Berisha mes thirrjeve dhe zhurmës në sallë.

Lideri i opozitës theksoi se nuk do të ketë më seanca parlamentare normale nëse, sipas tij, nuk dorëzohen personat që ai i cilëson si të përfshirë në krime të rënda.

“Silleni Lubinë këtu! Silleni hajduten këtu! Silleni pengmarrësin Agasin këtu! Parlament nuk ka më! Po nuk u dorëzuan Agasi dhe Lubia, parlament nuk ka!”, vijoi Berisha me tone të ashpra.

Ai akuzoi mazhorancën se po mbron krimin dhe se po fsheh personat e implikuar, duke e quajtur situatën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj shtetit ligjor.

“Ose Lubia dhe Agasi para ligjit, ose parlament nuk ka. Mos mbroni kriminelët!”, përfundoi Berisha, ndërsa seanca vijoi mes kaosit, ndërprerjeve dhe përplasjeve të forta politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related