Komisioni i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës zhvilloi dje për herë të parë mbledhjen e tij në Shqipëri me ftese të kryetares së delegacionit shqiptar dhe me mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë. Kryetarja e Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në AP KiE, deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, vuri theksin te domosdoshmëria e një angazhimi të pandërprerë në këtë drejtim: “Për Shqipërinë, angazhimi për të luftuar korrupsionin nuk është vetëm një obligim ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë, por një domosdoshmëri për të garantuar një të ardhme të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Lufta kundër korrupsionit luan një rol qendror në procesin e integrimit evropian. Hapja e negociatave me Bashkimin Evropian është një moment historik për vendin tonë, por sukseset në këtë rrugë varen drejtpërdrejt nga aftësia jonë për të ndërtuar institucione të pastra dhe transparente.
Qytetarët tanë duhet të shohin rezultate konkrete që rrisin besimin e tyre te institucionet dhe te sundimi i ligjit. Pa këtë besim, çdo reformë rrezikon të mbetet në letër”, deklaroi ajo. Në këtë kuadër, Gjylameti vlerësoi rolin e institucioneve të drejtësisë, si SPAK, BKH dhe Prokuroria, duke kërkuar që ato të jenë shembull i ndershmërisë dhe transparencës: “Ndërtimi i institucioneve të forta është shtylla kurrizore e një shoqërie të qëndrueshme. Institucione si SPAK, BKH dhe Prokuroria kanë një rol kyç në këtë drejtim. Ato duhet të jenë jo vetëm efektive në ndjekjen dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit, por edhe shembull i ndershmërisë dhe transparencës. Lufta jonë kundër korrupsionit nuk mund të jetë selektive; ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e pavarur nga ndikimet politike apo ekonomike”, shtoi ajo. Gjatë diskutimeve, u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit me shoqërinë civile, që sipas Gjylametit, është një partner kyç për garantimin e rezultateve konkrete dhe përfaqësimin e zërit të qytetarëve.
