Pas përfundimit të protestës së opozitës, një situatë e rëndë dhe e tensionuar është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në ambientet e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë. Sipas raportimeve nga terreni, ka pasur përplasje fizike dhe verbale mes deputetëve të Partisë Demokratike, familjarëve të protestuesve të ndaluar dhe forcave të policisë.
Pamjet nga komisariati tregojnë praninë e forcave speciale “Shqiponja”, të cilat kanë ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se brenda ambienteve të komisariatit ndodheshin deputetët e PD-së Tomorr Alizoti, Besart Xhaferi dhe Bledi Himçi.
Tensioni është përshkruar si i lartë dhe i agravuar, ndërsa shkak dyshohet të ketë qenë kërkesa e deputetëve dhe familjarëve për lirimin e protestuesve të shoqëruar pas përplasjes me policinë gjatë protestës para Kryeministrisë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi incidentin, ndërsa situata në komisariat raportohet të jetë vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave speciale.
