Kash Patel ka akuzuar publikisht Serbinë për bashkëpunim të dyfishtë me Kinën në çështje të ndjeshme të sigurisë, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi raportet e Beogradit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një deklaratë që pritet të sjellë tensione diplomatike, drejtori i FBI pretendoi se autoritetet serbe kanë kthyer në Kinë persona të dyshuar për aktivitete të inteligjencës dhe krim kibernetik, në vend që t’i ekstradonin drejt SHBA-së.
Patel përmendi një operacion të zhvilluar në Itali, ku sipas tij autoritetet amerikane arritën të transferonin një të dyshuar të nivelit të lartë drejt SHBA-së, duke shmangur kthimin e tij në Kinë.
“Kjo u bë në vend që ai të kthehej në Kinë, siç ka ndodhur shpesh në vende si Serbia”, deklaroi ai.
Megjithëse nuk dha detaje konkrete për rastet në Serbi, deklaratat e shefit të FBI-së kanë rikthyer në vëmendje afrimin e vazhdueshëm të Aleksandar Vučić me Pekinin.
Sipas të dhënave të SIPRI, gjatë viteve të fundit Serbia ka importuar pjesën më të madhe të armatimeve nga Kina, duke përfshirë dronë luftarakë dhe sisteme kundërajrore.
Serbia është bërë vendi i parë europian që ka futur në përdorim sistemin raketor kinez FK-3, si dhe dronët luftarakë CH-92A dhe CH-95.
Marrëdhëniet mes Aleksandar Vučić dhe Xi Jinping janë forcuar ndjeshëm vitet e fundit, me të dy liderët që e kanë cilësuar bashkëpunimin mes vendeve të tyre si “miqësi prej çeliku”.
Edhe pse Serbia mbetet zyrtarisht vend kandidat për anëtarësim në Bashkimi Europian, ajo ka ruajtur marrëdhënie të ngushta si me Rusinë ashtu edhe me Kinën, duke shkaktuar shqetësime të vazhdueshme në Perëndim për orientimin strategjik të Beogradit.
