Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, akuzoi kryeministrin Edi Rama se është bashkëautor në aferat që lidhen me dosjet e zv/kryeministres së pezulluar, Belinda Balluku. Ai deklaroi se padia e bërë ndaj Gjykatës Kushtetuese nuk ka si qëllim mbrojtjen e Ballukut, por mbulimin e përgjegjësive të kryeministrit në ato që Berisha i quajti “vjedhje të mëdha”.
Sipas tij, denoncimet e opozitës për lidhjet e qeverisë me trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe kartelet ndërkombëtare janë në të njëjtën linjë me raportimet e mediave prestigjioze botërore. Berisha theksoi se që nga viti 2017 e në vijim, Shqipëria është identifikuar si “narkoshteti i parë në Europë”, duke cituar të dhëna të OKB-së për përfshirjen e grupeve shqiptare të drogës në tregun europian të kokainës dhe lidhjet e tyre me organizatat kriminale të Amerikës Latine.
Ai përmendi gjithashtu mesazhet e presidentit amerikan Donald Trump dhe sekretarit të Shtetit Marco Rubio, të cilët sipas tij kanë vënë theksin tek lufta kundër organizatave kriminale dhe karteleve të drogës, duke e konsideruar këtë një inkurajim për opozitën shqiptare. Berisha shtoi se zgjidhja e tij si nënkryetar i CDI-së (Internacionalja Demokratike Qendrore) përbën një tjetër dëshmi të mbështetjes ndërkombëtare ndaj përpjekjeve të PD-së.
Gjatë deklaratës, Berisha u fokusua edhe te çështja “Rama–Balluku”, duke e cilësuar si superskandalin më të rëndë të viteve të fundit. Ai kritikoi ashpër vendimin e kryeministrit për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas pezullimit të Ballukut, duke e konsideruar këtë si një ngjarje pa precedent në Europë. Sipas tij, në vendet demokratike zyrtarët që përballen me akuza të rënda japin dorëheqjen, ndërsa në Shqipëri ata mbrohen politikisht, deri në pikën e paditjes së institucioneve të drejtësisë.
Berisha deklaroi se kryeministri ishte ai që mori përsipër mbrojtjen e Ballukut, jo për ndonjë arsye personale, por sepse ai vetë është i përfshirë në aferat për të cilat po hetohet ministrja e pezulluar. Ai përmendi edhe rastin e tunelit të Llogarasë, duke pretenduar se Balluku u dërgua në Ankara për negociata ku, sipas tij, kompanitë turke përfituan 50 milionë euro më shumë sesa oferta më e ulët për projektin.
Sipas Berishës, ky është një tregues se “regjimi i narkoshtetit” është futur në fazën e rënies, të kalbëzimit dhe të degradimit institucional. Ai shtoi se Partia Demokratike ka nisur analizën e saj pas zhvillimeve të fundit, raportit përfundimtar të OSBE–ODIHR dhe rezolutës së miratuar në Sao Paolo nga CDI.
