Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur shqetësime të forta në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, duke e cilësuar si të paprecedentë faktin që Kuvendi nuk ka miratuar rezolutat për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Autoritetin e Konkurrencës.
Sipas Braçes, kjo vonesë dhe shmangie e qëllimshme ka penguar vendosjen e rregullave që do të mbronin qytetarët nga abuzimet në treg, veçanërisht në sektorin e sigurimeve. Ai deklaroi se ekziston një marrëveshje mes kompanive të sigurimit, e njohur gjerësisht, që penalizon drejtuesit korrektë dhe rëndon financiarisht mbi qytetarët.
Braçe theksoi se bonusi për drejtuesit e rregullt është pothuajse zero, ndërsa sistemi i malusit po aplikohet në mënyrë të padrejtë për të gjithë, pa dallim. Ai shtoi se Autoriteti i Konkurrencës, në bashkëpunim me AMF, ka dështuar të hetojë këtë marrëveshje të ndaluar, pavarësisht kërkesave të përsëritura.
Deputeti u ndal edhe te fenomeni i platformave mashtruese Forex, duke deklaruar se Shqipëria po kthehet në “gazin e botës” për shkak të mungesës së reagimit institucional. Sipas tij, këto aktivitete kriminale zhvillohen hapur në qendër të Tiranës, në ambiente luksoze, ndërsa institucionet përgjegjëse tërhiqen dhe nuk ndërhyjnë.
Braçe kritikoi ashpër mungesën e veprimit nga AMF, tatimet, inteligjenca financiare dhe policia, duke theksuar se ndërhyrja ka ardhur vetëm pas investigimeve të mediave vendase dhe të huaja.
Në fjalën e tij, ai ngriti shqetësim edhe për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Bankës së Shqipërisë, duke kërkuar që ky proces të jetë ekskluzivisht në dorën e Komisionit të Ekonomisë dhe të zhvillohet në mënyrë transparente, pa ndërhyrje politike.
Braçe paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e fluksit të pakontrolluar të kapitaleve të huaja, veçanërisht nga vende jo-mike, duke përmendur rritjen e ndikimit ekonomik rus në rajon. Ai kërkoi ngritjen urgjente të një mekanizmi ligjor për kontrollin e investimeve të huaja, për të mbrojtur ekonominë dhe sigurinë kombëtare.
Sipas tij, pa masa konkrete dhe vendimmarrje të fortë, ekonomia shqiptare dhe imazhi i vendit do të vijojnë të dëmtohen rëndë.
