Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikthyer deklarata të forta lidhur me ngjarjet e 21 janarit 2011, duke pohuar se atë ditë ishte i rrethuar në zyrë dhe se ndaj tij u ndërtua, sipas tij, një skenar i qëllimshëm përmes falsifikimit të provave.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se dokumenti që u përdor për të ngritur akuza për një korrupsion të pretenduar ndaj zv/kryeministrit të asaj kohe ishte manipuluar. Sipas tij, në versionin fillestar të dokumentit ai rezultonte i përfshirë, por më pas, përmes ndërhyrjeve teknike, kjo u tërhoq. “Me ‘cut and paste’, dokumenti kalonte nga sekondi i 25-të në të 32-tin dhe më pas thanë se nuk isha i përfshirë”, u shpreh Berisha, duke akuzuar Edi Ramën për falsifikim të qëllimshëm.
Berisha theksoi se përgjegjësia e tij si kryeministër nuk lidhet me akuzat që, sipas tij, janë ngritur artificialisht, por me mënyrën se si ka menaxhuar protestat gjatë qeverisjes. Ai deklaroi se ka përballuar qindra protesta të opozitës me standarde demokratike, pa ndërhyrje dhe pa cenim të të drejtave qytetare.
Duke iu referuar protestës së 21 janarit, Berisha tha se ajo u shoqërua me dhunë të rëndë, përfshirë hedhje gurësh dhe përdorim armësh zjarri, të cilat sipas tij janë të dokumentuara. Ai pretendoi se në atë ditë ka pasur të shtëna dhe përdorim revolesh të drejtuara ndaj kryeministrit në detyrë.
Në një deklaratë personale, Berisha theksoi se nuk pranoi të largohej nga zyra dhe nuk kërkoi evakuim. “Nuk blindova dyer unë, blind isha vetë. Nuk jam frikacak që ia mbath. Nuk e lashë zyrën dhe vazhdova punën”, u shpreh ai.
Ai shtoi se zgjedhjet e zhvilluara gjatë qeverisjes së tij kanë përmbushur standardet kryesore ndërkombëtare, ndërsa akuzoi Edi Ramën se gjatë asaj dite ndodhej në një godinë përballë dhe po priste të mbante një fjalim para protestuesve.
Në përfundim, Berisha e cilësoi 21 Janarin si një ngjarje tragjike, por këmbënguli se që atë natë kishte kërkuar hetim ndërkombëtar. “Nuk i heq asnjë fjalë nga ato që kam thënë. Çdo gjë ishte e qëllimshme dhe e turpshme”, përfundoi ai.
