Lëvizja “Bashkë” ka zhvilluar sot protestën e saj të radhës para Kuvendit të Shqipërisë, duke rritur ndjeshëm presionin publik ndaj qeverisë dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Dhjetëra qytetarë u mblodhën me pankarta dhe thirrje të forta, ku spikaste mesazhi: “Dorëzoni Belindën”.
Protesta vjen në një klimë të ndezur politike dhe shoqërore, mes akuzave të vazhdueshme për korrupsion, keqmenaxhim të fondeve publike dhe përkeqësim të kushteve ekonomike për qytetarët. Demonstruesit e cilësuan të papranueshme që figura të larta të pushtetit të vazhdojnë të mbrohen politikisht, ndërsa qytetarët përballen me varfëri dhe pasiguri.
Gjatë fjalës së tij para protestuesve, kreu i Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, deklaroi se kjo protestë nuk është thjesht kundër një emri, por kundër një modeli qeverisjeje që sipas tij ka prodhuar padrejtësi dhe pabarazi.
“Sot kam zgjedhur të flas për të ardhmen që ne, si shoqëri, kemi forcën ta përfytyrojmë dhe ta ndërtojmë. Një të ardhme pa korrupsion, pa pandëshkueshmëri dhe pa varfërim të qëllimshëm të qytetarëve,” u shpreh Qori.
Protestuesit kërkuan dorëzimin e zëvendëskryeministres para drejtësisë dhe hetim të plotë për akuzat që rëndojnë mbi të, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ata paralajmëruan se protestat do të vijojnë, nëse kërkesat e tyre injorohen.
Protesta u zhvillua pa incidente, por me një mesazh të qartë: durimi qytetar po mbaron dhe presioni ndaj pushtetit po rritet çdo ditë.
