Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës, Basir Çollaku, ka reaguar me ironi të fortë pasi nuk u ftua në aktivitetin për 35-vjetorin e krijimit të PD-së së Dibrës.
Përmes një reagimi publik, Çollaku shprehet se mungesa e ftesës nuk e shqetëson, por e lexon atë si pjesë të një klime të çuditshme politike dhe komunikimi të cunguar. Me nota sarkastike, ai shkruan se ftesa “me siguri ka mbetur rrugës”, për shkak të reshjeve, ngricave, problemeve infrastrukturore apo – siç ironizon ai – ndoshta edhe për shkak të hetimeve të SPAK-ut.
“Edhe telefonat kanë pasur telashe në shërbim mendoj, ngaqë SPAK ndoshta heton edhe ditëlindjet”, shprehet Çollaku, duke shtuar se jetojmë në kohë “belash” dhe kufizimesh në komunikim.
Megjithatë, reagimi i tij nuk ndalet te ironia. Çollaku shpreh mirënjohje të thellë për demokratët dhe opozitarët dibranë që e mbështetën në zgjedhjet e 11 majit 2025, duke theksuar se votat e marra në kushte të vështira mbeten një nder dhe përgjegjësi për të.
Ai e cilëson veten si një “opozitar tre turnesh”, të drejtpërdrejtë me miqtë dhe kundërshtarët, dhe nënvizon se përkatësia opozitare është për të një privilegj dhe jo një interes momental. Sipas Çollakut, demokratët kanë prej 13 vitesh një “mandat shpirtëror” në opozitë, i cili është burim force dhe shprese.
Në mbyllje, ai shpreh bindjen se 36-vjetori i Partisë Demokratike duhet të shënojë rikthimin e saj në pushtet, duke theksuar se vetëm ata që kanë qëndruar realisht në opozitë e meritojnë këtë betejë.
Reagimi i Çollakut është lexuar nga shumë demokratë si një kritikë e heshtur ndaj përjashtimeve dhe mungesës së unitetit brenda opozitës, por edhe si një mesazh se beteja politike, sipas tij, vazhdon pavarësisht ftesave apo mungesës së tyre.
