Situata u tensionua në mbyllje të protestës së zhvilluar para Kryeministrisë nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”, ku një grup protestuesish hodhën miell në drejtim të forcave të policisë.
Me flamuj dhe pankarta në duar, aktivistët iu afruan kordonit të efektivëve duke brohoritur thirrje për dorëheqjen e kryeministrit. Veprimi i hedhjes së miellit u shoqërua me rritje të tensionit në zonë, ndërsa policia mbajti pozicionet pa ndërhyrë.
Protesta ishte zhvilluar prej disa orësh para selisë së qeverisë dhe kishte në fokus kritikat ndaj qeverisë dhe kërkesën për largimin e saj nga pushteti. Pavarësisht incidenteve në fund të tubimit, nuk raportohet për persona të lënduar apo arrestime, ndërsa forcat e rendit vijuan të ruajnë perimetrin deri në shpërndarjen e plotë të protestuesve.
