Kreu i Partisë Demokratike ka shpërthyer me akuza të forta ndaj qeverisë, duke deklaruar se aferat që po hetohen nga drejtësia tregojnë se synimi i vetëm i pushtetit ka qenë vjedhja sistematike e parave të shqiptarëve.
Duke iu referuar dy prej dosjeve më të bujshme nën hetim, asaj të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku dhe dosjes së AKSHI-t, ai u shpreh se bëhet fjalë për zhdukje të hapur miliona eurosh, pa asnjë investim real në terren.
“Ka skandale ku nuk është vendosur asnjë tullë dhe janë zhdukur 75 milionë euro. Dosja e AKSHI-t është shembulli më flagrant i grabitjes masive të parave publike”, tha ai, duke theksuar se rrugët dhe veprat publike në Shqipëri kushtojnë disa herë më shumë se standardet europiane, vetëm për të justifikuar vjedhjen.
Sipas tij, në vendet fqinje ndërtimi i rrugëve bëhet me kosto shumë më të ulëta, ndërsa në Shqipëri çmimet fryhen artificialisht dhe përfundimisht rrugët shemben njëra pas tjetrës.
Në qendër të akuzave ishte edhe tuneli i Llogarasë, për të cilin ai deklaroi se kostoja reale për banor arrin në 64 mijë euro, një shifër që sipas tij tregon qartë se objekti nuk është ndërtuar për nevojat e komunitetit, por për të përvetësuar rreth 50 milionë euro.
Edhe aeroporti i Vlorës u përmend si një tjetër aferë e rëndë. Ai tha se askush nuk është kundër ndërtimit të një aeroporti, por vendndodhja dhe marrëveshja financiare janë zgjedhur në mënyrë të tillë që të prodhojnë mbikosto dhe humbje për qytetarët. Sipas tij, marrëveshja e firmosur detyron shqiptarët të paguajnë rreth 140 milionë euro për bileta të munguara.
Kreu i opozitës theksoi se paratë në buxhet ekzistojnë për rroga, pensione, ndihmë ekonomike, ilaçe dhe minimum jetik, por ato nuk shkojnë tek qytetarët sepse përfundojnë në afera korruptive. Ai paralajmëroi se Shqipëria po shkon drejt zhdukjes demografike për shkak të shpopullimit, emigracionit dhe rënies së lindshmërisë.
Duke folur edhe për përmbytjet e fundit, ai deklaroi se shumë hidrovore nuk funksionojnë më sepse pajisjet janë shitur për skrap, duke e lënë vendin të pambrojtur përballë reshjeve dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në zona të tëra të vendit.
“Pasuritë janë aty, por nuk shfrytëzohen për qytetarët. Shfrytëzohen vetëm për të vjedhur”, përfundoi ai.
