Në një moment të trishtuar për historinë e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama, për të cilin nuk ka më dyshim se është bërë Kryeballisti i kohëve moderne, ka vënë në pikëpyetje gjithçka që përfaqëson Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ). Pavarësisht pozicionit të tij si lider i një qeverie, që dikur mburrej me angazhimin ndaj vlerave kombëtare, ai sot është përpjekur të zbrazë dhe ta shndërrojë luftën e shenjët partizane në një “luftë civile”, të mbështetur nga Instituti për Studimet e Krimeve të Komunizmit (ISKK), që drejtohet nga një tjetër pinjoll i ballistëve, Çelo Hoxha.
Ky sulm i koordinuar është një fyerje e hapur ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur. Por kjo është vetëm një pjesë e strategjisë së një njeriu që ka shpërfillur çdo normë historike, duke u munduar të ndryshojë rrënjësisht narrativën. Rama dhe bashkëpunëtorët e tij kanë investuar në mbështetje të sharlatanëve, të cilët kanë përdorur institucionet duke u përpjekur të rishikojnë historinë dhe për të “rehabilituar” ata që bashkëpunuan me pushtuesit. Ky veprim ka si synim shpërfytyrimin e vlerave të LANÇ dhe shenjës së Dëshmorëve, duke u përpjekur ta quajnë Luftën Antifashiste një luftë civile, me qëllim për të fshirë krenarinë e shqiptarëve për heronjtë e saj.
