Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara në mbyllje të protestës para Kryeministrisë, ku disa aktivistë hodhën miell drejt forcave të policisë. Lapaj e cilësoi veprimin si një akt simbolik dhe jo dhunë, duke theksuar se mesazhi ishte politik dhe i drejtpërdrejtë.
Sipas tij, mielli përfaqëson drogën dhe kartelet kriminale që, siç u shpreh, kanë kapur shtetin dhe mbështesin qeverinë aktuale. Lapaj akuzoi kryeministrin se ka blinduar Kryeministrinë dhe po qeveris përmes frikës, policisë dhe një sistemi të lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Ai drejton një autokraci hajdutësh që e kanë vjedhur këtë vend. Spitalet janë pa ilaçe, qytetarët pa shpresë, ndërsa qeveritarët jetojnë në luks. Mielli ishte simbolikë, një pasqyrë e realitetit që ky regjim përpiqet ta fshehë”, u shpreh Lapaj.
Ai theksoi se qeveria e ka humbur betejën me të vërtetën dhe se, pavarësisht përdorimit të forcës dhe pushtetit, zemërimi qytetar nuk mund të ndalet. Lapaj shtoi se Shqipëria është dëmtuar rëndë në arenën ndërkombëtare, duke u penalizuar për shkak të lidhjeve të shtetit me drogën dhe krimin.
“E ka blinduar Kryeministrinë, por nuk mund të blindojë ndërgjegjen e qytetarëve. Asnjë lule nuk u prek. Mesazhi ynë ishte i qartë: ky vend nuk e meriton të qeveriset nga frika, droga dhe korrupsioni”, përfundoi ai, duke bërë thirrje për vijimin e qëndresës qytetare deri në ndryshimin e situatës politike.
