Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, komentoi zhvillimet e fundit brenda selisë blu pas takimeve që Ervin Salianji po zhvillon me bazën e partisë në të gjithë vendin. Këlliçi theksoi se në PD nuk ka frikë nga mendimi ndryshe dhe se askush nuk përjashtohet, por nënvizoi se çdo qëndrim duhet të respektojë rregullat dhe statutin e partisë.
“Unë e kam mbështetur gjithmonë mendimin ndryshe në Partinë Demokratike, por gjithmonë brenda rregullave dhe statusit të saj. Nuk mendoj se duhet të harxhojmë kohë me debate të brendshme, kur kemi përballë skandale të mëdha korrupsioni dhe afera qeveritare”, u shpreh ai.
Këlliçi u distancua nga qëndrimi i kryetarit të PD, Sali Berisha, i cili ka deklaruar se Salianji është vetëpërjashtuar, duke theksuar se në PD nuk ka përjashtime dhe se diversiteti i mendimeve është pjesë e funksionimit normal të partisë.
Ai kritikoi gjithashtu fokusin e mediave pranë qeverisë, të cilat sipas tij merren vazhdimisht me situatën në opozitë, ndërsa injorojnë problemet e brendshme të mazhorancës. Sipas Këlliçit, forume të rëndësishme të Partisë Socialiste, si Forumi i Rinisë dhe ai i Gruas, praktikisht nuk ekzistojnë më, por kjo nuk trajtohet nga mediat.
Në fund, deputeti demokrat akuzoi qeverinë si përgjegjëse për shpopullimin masiv të vendit, duke e krahasuar situatën në Shqipëri me atë të Venezuelës. “Mbi një milion shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë qeverisjes së PS. Kjo është një strategji shpopullimi, e ngjashme me atë që ka ndodhur në Venezuelë”, përfundoi Këlliçi.
