Një grup shtetasish shqiptarë dhe europianë janë liruar mëngjesin e sotëm nga burgjet e Venezuelës dhe janë nisur me avion drejt vendeve të tyre. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri i Çekisë dhe ministri i Jashtëm çek, të cilët konfirmuan lirimin e një qytetari çek që mbahej i burgosur prej më shumë se një viti, si dhe të disa shtetasve të tjerë europianë.
Sipas autoriteteve çeke, lirimi erdhi pas disa javësh negociatash intensive me palën venezueliane. Në të njëjtin fluturim janë përfshirë qytetarë nga Irlanda, Rumania, Gjermania, Shqipëria, Ukraina dhe Holanda.
Ministri i Jashtëm çek bëri me dije se të gjithë të liruarit janë transportuar me avion drejt Europës, ndërsa operacioni u koordinua gjatë gjithë natës nga autoritetet qeveritare.
Ende nuk ka një informacion zyrtar se sa shtetas shqiptarë janë mes të liruarve dhe nëse ka ende shqiptarë të tjerë që mbahen në burgjet e Venezuelës. Deri tani raportohet vetëm për një shtetas shqiptar me iniciale J.N. Pritet një reagim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Këta persona ishin arrestuar më herët nga autoritetet venezueliane me akuza të rënda, pasi presidenti i vendit, Nicolás Maduro, i kishte akuzuar publikisht se po planifikonin vrasjen e tij dhe përmbysjen e qeverisë. Sipas burimeve diplomatike, këto pretendime kanë rezultuar të pabaza.
Lirimi i tyre vjen në një moment delikat për Venezuelën dhe raportohet se është ndikuar edhe nga presioni dhe ndërhyrjet diplomatike ndërkombëtare, përfshirë rolin e Shteteve të Bashkuara.
