Momente paniku janë regjistruar pasditen e së hënës në plazhin Santa Clara del Mar në Argjentinë, kur dallgë jashtëzakonisht të fuqishme goditën papritur bregun, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Viktima është një 29-vjeçar, Yair Amir Mano Nunez, i cili ndodhej me pushime në Argjentinë së bashku me partneren e tij. Sipas mediave lokale, i riu u përfshi nga dallgët e forta dhe humbi jetën pas përplasjes me shkëmbinjtë.
Nga i njëjti episod, një burrë tjetër ka pësuar një atak kardiak pasi u rrëmbye nga uji, ndërsa të paktën 35 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre duke marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje.
Kreu i sindikatës së rojeve bregdetare, Nahuel Nardone, deklaroi se dallgët arritën “lartësi të pabesueshme” dhe se situata ishte krejtësisht e papritur. Pushuesit dhe rojet bregdetare përshkruan skena kaotike, ku valët rrëmbyen çadra, shezlongje dhe sende personale, duke detyruar njerëzit të ndihmonin njëri-tjetrin për të dalë nga zona e rrezikut.
Sipas dëshmitarëve, deti u tërhoq papritur për disa sekonda dhe më pas një valë shumë e madhe, e përshkruar si “një mur uji”, goditi bregun.
Kreu i Mbrojtjes Civile të provincës së Buenos Airesit, Fabian Garcia, tha se bëhet fjalë për një fenomen të paparashikueshëm dhe se autoritetet nuk mund të përjashtojnë mundësinë e përsëritjes së tij.
Çfarë është cunami meteorologjik?
Cunami meteorologjik është një fenomen i rrallë natyror, i ngjashëm me cunamin klasik, por që nuk shkaktohet nga tërmete apo aktivitet sizmik nënujore.
Ai krijohet nga ndryshime të shpejta të presionit atmosferik, shpesh të shoqëruara me stuhi të forta. Këto ndryshime gjenerojnë valë që, kur afrohen drejt bregut, përforcohen nga forma e terrenit detar, si gjiret apo shelfi kontinental i cekët.
Shkencëtarët kanë nisur vetëm vitet e fundit ta studiojnë më thellë këtë fenomen, ndërsa raste të ngjashme janë raportuar edhe në zona të tjera të botës, përfshirë Mesdheun, Detin Adriatik dhe Gjirin e Meksikës.
