Balla për reagimin e Spiropalit ndaj protestave: Le të vijë t’i diskutojë shqetësimet në grupin parlamentar, Trump i mirëpritur në Tiranë për Samitin e NATO-s

Data

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë protestat qytetare që po zhvillohen prej ditësh në kryeqytet, si dhe qëndrimet e shprehura nga figura të ndryshme të mazhorancës lidhur me këtë situatë.

I pyetur nga gazetarët për reagimin e ish-ministres Elisa Spiropali, e cila pak ditë më parë bëri thirrje për një “marrëveshje të re për Shqipërinë” dhe ngriti shqetësime për mënyrën e funksionimit të pushtetit, Balla u shpreh se debatet dhe shqetësimet duhet të diskutohen fillimisht brenda forumeve të Partisë Socialiste.

“Unë nuk ndjek postimet e të gjithë deputetëve apo anëtarëve të Partisë Socialiste. Kushdo që ka një shqetësim mund ta paraqesë në mbledhjen e grupit parlamentar. Kur kolegia Spiropali të vijë dhe ta shprehë aty, do ta dëgjoj me vëmendje dhe më pas do të jem i gatshëm të jap edhe sqarime publike”, deklaroi Balla.

Ai theksoi se ruan komunikim të mirë me të gjithë deputetët socialistë, përfshirë edhe Spiropalin, duke nënvizuar se çdo diskutim politik duhet të kalojë përmes strukturave të partisë.

Duke komentuar protestat, Balla tha se deri më tani mungon një përfaqësi e qartë e organizatorëve, gjë që sipas tij e bën të vështirë adresimin institucional të kërkesave të tyre.

“Ka pasur disa nismëtarë që kanë paraqitur propozime dhe kërkesa, por derisa protesta të ketë një përfaqësi zyrtare, është e vështirë të komentohen në mënyrë të plotë kërkesat që artikulohen në emër të saj”, u shpreh ai.

Kreu i grupit socialist theksoi gjithashtu se qeveria ka një mandat të qartë të marrë nga qytetarët dhe se fokusi i saj mbetet vijimi i projekteve që konsiderohen strategjike për zhvillimin e vendit.

“Kemi marrë një mbështetje të gjerë nga qytetarët dhe kemi një kontratë me ta. Shqipëria nuk mund të humbasë kohë dhe as projekte të rëndësishme për zhvillimin e saj”, tha Balla.

Në deklaratën e tij, ai u ndal edhe te Samiti i NATO-s që pritet të zhvillohet në Tiranë vitin e ardhshëm, duke konfirmuar se presidenti amerikan Donald Trump do të jetë i mirëpritur në Shqipëri në kuadër të këtij eventi ndërkombëtar.

“Donald Trump do të jetë i mirëpritur vitin e ardhshëm në Tiranë për Samitin e NATO-s”, deklaroi Balla.

Ai përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij kundër çdo forme diskriminimi dhe gjuhës së urrejtjes, duke theksuar se debati publik duhet të zhvillohet mbi bazën e argumenteve dhe respektit institucional

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related