Bordi i Transparencës i Hidrokarbureve ka vendosur sërish rritjen e çmimeve të karburanteve në tregun shqiptar, vetëm një ditë pas uljes së tyre.
Sipas vendimit të datës 28 mars, çmimi i naftës është rritur me 15 lekë për litër, duke arritur në 218 lekë/litër nga 203 lekë që ishte më parë. Ndërkohë, benzina është rritur me 6 lekë, duke shkuar nga 175 lekë në 181 lekë për litër.
Vendimi hyn në fuqi që nga ora 10:30 e datës 28 mars dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku mund të reflektohen ndryshime të reja në varësi të tregjeve ndërkombëtare.
Përveç çmimeve me pakicë, janë përcaktuar edhe kufijtë për shitjen me shumicë:
- Nafta: deri në 206 lekë/litër
- Benzina: deri në 169 lekë/litër
Bordi ka paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të këtyre çmimeve, duke theksuar se shkeljet do të ndëshkohen me pezullim të aktivitetit.
Luhatjet e shpeshta të çmimeve vijnë në një moment kur tregjet globale të energjisë po përballen me pasiguri të lartë, kryesisht për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, çka po reflektohet drejtpërdrejt edhe në tregun vendas.
