Arratisja e Altin Ndocit nga spitali, arrestohen 8 persona, mes tyre zyrtari i lartë i policisë dhe kryeinfermieri

Data

Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, ka arrestuar 8 persona për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit.

Lajmi është konfirmuar nga gazetarja Klodiana Lala. Mes të arrestuarve ndodhen edhe kryeinfermieri i spitalit si dhe zëvendësshefi i komanduar i policisë, të cilët dyshohet se kanë shkelur procedurat e sigurisë gjatë shoqërimit dhe trajtimit të të paraburgosurit.

Ngjarja

Altin Ndoci, një nga emrat më të përfolur të botës së krimit, i pandehur në procesin “Plumbi i Artë” dhe i konsideruar si vrasës me pagesë i një organizate kriminale, u arratis ditën e martë nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit.

Ai ishte shoqëruar nga punonjës të Policisë së Burgjeve për kryerjen e vizitave mjekësore në repartin Infektiv, në dhomën e posaçme për të paraburgosurit, për shkak të problemeve shëndetësore me veshkat. Bashkë me të ndodhej edhe një tjetër i paraburgosur.

Sipas burimeve hetimore, në një moment Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Gjatë kësaj lëvizjeje, ai ka goditur një nga punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe ka përfituar nga situata për t’u larguar me shpejtësi. Një nga efektivët ka qëlluar në ajër gjatë ndjekjes, por pa arritur ta neutralizojë.

Në parkimin e spitalit, Ndoci është hipur në një automjet Audi A7 të bardhë me targa AA700RS, i cili është larguar në drejtim të zonës së Spitallës, duke humbur më pas çdo gjurmë.

Profili i të arratisurit

Altin Ndoci, me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, u arrestua rreth 6 vite më parë nga SPAK në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Ai akuzohet për vrasje me pagesë dhe përfshirje në ngjarje të rënda kriminale.

Sipas hetimeve, ai është implikuar në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, bazuar në dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Ndoci dyshohet se ka vepruar si vrasës për llogari të një organizate kriminale dhe konsiderohet person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e arratisjes, përgjegjësitë individuale dhe për të identifikuar bashkëpunëtorët që mund të kenë ndihmuar në realizimin e këtij plani.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related