Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka revokuar mbi 100 mijë viza, në kuadër të një fushate të gjerë për forcimin e sigurisë kombëtare dhe luftën kundër kriminalitetit.
Sipas të dhënave zyrtare, në mesin e vizave të anulura përfshihen rreth 8 mijë viza studentore, si dhe afro 2 mijë e 500 viza të specializuara, të dhëna për individë që kanë pasur probleme me forcat e ligjit në Shtetet e Bashkuara për veprimtari kriminale.
Lidhur me këtë vendim, ish-presidenti Donald Trump ka reaguar me tone të ashpra, duke paralajmëruar se askush nuk do t’i shpëtojë masave ndëshkuese.
“Ne do të vazhdojmë t’i deportojmë këta banditë për ta mbajtur Amerikën të sigurt,” ka deklaruar Trump, duke theksuar se administrata amerikane do të ndjekë një politikë zero tolerance ndaj çdo individi që përbën rrezik për rendin dhe sigurinë publike.
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se procesi i revokimit të vizave do të vijojë edhe në muajt në vijim, në bashkëpunim me agjencitë e zbatimit të ligjit, me qëllim identifikimin dhe largimin e personave që shkelin ligjin apo keqpërdorin statusin e tyre ligjor në SHBA.
