Deputetja njëherësh dhe Zëvendës Presidente e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaron se kryeministri Edi Rama vazhdon të tallet me pensionistët, u merr votën ndërkohë që ka 11 vjet që nuk i rrit pensionet.
Kjo pasi, sipas saj, me rritjen vetëm 25 lekë në ditë, qeveria u tall me 791 mijë pensionistët e vendit, ndërsa shton se projektbuxheti i vitit 2025 i hartuar nga Qeveria nuk sjell asnjë shpresë për ta.
REAGIMI I PLOTË I ERISA XHIXHOS
Edi Rama vazhdon të tallet me pensionistët, u merr votën ndërkohë që ka 11 vjet që nuk i rrit pensionet.
Pensionistët janë sot kategoria sociale më e diskriminuar, më e përjashtuar dhe më e varfër e shoqërisë.
Me rritjen vetëm 25 lekë në ditë, qeveria u tall me 791 mijë pensionistët e vendit.
Projektbuxheti i vitit 2025 nuk sjell asnjë shpresë për ta.
Indeksimi tjetër në tetor 2025 do të jetë lëmosha e radhës, ndërkohë që çmimet dhe kostoja e jetesës rriten përditë.
Taksat e shqiptarëve nuk janë përdorur për të rritur mirëqenien e pensionistëve dhe të të gjithë qytetarëve, por për të vjedhur me PPP-të dhe koncensionet korruptive. Këtë do të bëjë edhe me buxhetin e 2025-s.
Indeksimi me vetëm 4.1% është qesharak në krahasim me rritjen 20% që bëri qeveria e Kosovës, me një buxhet sa gjysma e atij që ka qeveria e Edi Ramës.
Pensionistët shqiptarë janë më të varfrit në rajon me një pension mesatar 170 euro, ndërsa në Kosovë është 340 euro, në Malin e Zi është 450 euro, në Maqedoninë e Veriut është 325 euro dhe në Serbi është 390 euro.
Duke e cilësuar të shenjtë detyrimin që i kemi këtij brezi që ka bërë kaq shumë për Shqipërinë, Partia e Lirisë do t’u vijë në ndihmë pensionistëve duke u bërë të mundur atyre:
Dyfishimin e pensioneve dhe rritjen e tyre të barabartë me mesataren e rajonit, bazuar në nivelin e rritjes reale ekonomik.
Indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë.
Mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore.
