E ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji.
Përmes një njoftimi për mediat, VanHorn ka shprehur mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për institucionet e drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar se sundimi i ligjit mbetet një prioritet kyç. Ajo i ka paraqitur kryetares së Gjykatës Kushtetuese edhe prioritetet e administratës amerikane, të cilat përfshijnë çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane.
Në njoftim thuhet se Gjykata Kushtetuese ka një rol thelbësor në garantimin e drejtësisë për qytetarët shqiptarë, në vënien para përgjegjësisë të atyre që shkelin ligjin dhe në ruajtjen e një sistemi ligjor të drejtë dhe funksional.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese dhe diskutoi rëndësinë e mbështetjes së kahershme të SHBA-së për institucionet e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Kjo mbështetje ndihmon në çmontimin e rrjeteve kriminale dhe në krijimin e një klime të ndershme për investimet dhe bizneset amerikane,” thuhet në deklaratë.
Takimi u cilësua si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-ve për forcimin e institucioneve demokratike dhe të drejtësisë në vend.
