“Djersa e tyre po shkatërrohet”/ Përmbytjet në Kuçovë, Bozdo: Kërkojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka reaguar ashpër pas përmbytjeve të rënda që kanë goditur qarkun e Beratit, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe jashtë kontrollit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bozdo thekson se dëmet nuk kufizohen vetëm në bashkinë Dimal, por janë shtrirë edhe në Kuçovë, ku përmbytjet kanë marrë përmasa katastrofike.

Sipas tij, qindra hektarë tokë bujqësore dhe sera janë përmbytur, duke prekur rëndë zonat e Kozarës, Salcë-Kozarës dhe Ferrasit. Bozdo shprehet se mijëra familje po përballen me humbje të mëdha ekonomike, pasi puna, mundi dhe investimi i tyre është shkatërruar brenda pak orësh.

“Në pamje tregohet përmbytja në Kozare, Salcë-Kozare dhe Ferras. Janë me qindra e mijëra familje që shohin djersën dhe mundin e tyre të shkatërrohet për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisjes”, shkruan deputeti demokrat.

Në këtë situatë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon shpalljen e menjëhershme të gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e prekura nga përmbytjet. Po ashtu, Bozdo thekson nevojën për dëmshpërblim të plotë dhe të drejtë për çdo fermer dhe blegtor që ka pësuar dëme, duke kërkuar reagim urgjent nga institucionet shtetërore për të përballuar krizën dhe për të mos lënë banorët të vetëm përballë pasojave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related