Një 38-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Bëhet fjalë për Alesjo Abdijan, i cili është dënuar nga drejtësia italiane me 6 vite e 6 muaj burg, si bashkëpunëtor në trafikimin e lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve, arrestimi u krye në kuadër të një operacioni të koordinuar mes strukturave shqiptare dhe atyre italiane, pas shkëmbimit të informacionit operacional. Abdija ishte në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Perugias në vitin 2024, e cila e shpalli fajtor për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Operacioni policor, i koduar “Operacionalja 77”, u finalizua nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Interpolin.
Aktualisht, Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë bashkëpunimin për përmbylljen e procedurave ligjore, me qëllim ekstradimin e 38-vjeçarit drejt Italisë, ku ai do të vuajë dënimin e dhënë nga autoritetet gjyqësore italiane.
