Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, nuk priti rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për të shpallur një epokë të re në Evropë. Në një deklaratë të fortë, ai vuri në dyshim të ardhmen e NATO-s dhe bëri thirrje për forcimin urgjent të mbrojtjes evropiane, duke sugjeruar se Europa duhet të bëhet më e pavarur nga SHBA.
Merz, i njohur si një mbështetës i zjarrtë i marrëdhënieve të ngushta me SHBA-në, befasoi shumë me tonin e tij të ashpër. Ai tha se administrata e Donald Trump nuk po tregon më kujdes për Evropën, duke e vënë në dyshim qëndrueshmërinë e aleancës transatlantike.
“Pas deklaratave të Donald Trump javën e kaluar, është e qartë se kjo administratë nuk shqetësohet më për fatin e Evropës,” tha Merz gjatë një debati pas zgjedhjeve të dielën. “Prioriteti im absolut do të jetë forcimi i Evropës, në mënyrë që të mund të arrijmë pavarësinë nga SHBA hap pas hapi.”
