“Ka vendosur të çmontojë organizatën”/ Meta nga burgu: Arben Ahmetaj, një luftëtar për të ardhmen e Shqipërisë

Data

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu lidhur me intervistën e fundit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke e cilësuar atë si një figurë kyçe në përballjen me korrupsionin dhe strukturat që ai i quan kriminale në pushtet.

Në reagimin e tij, Meta shprehet se edhe ata që dyshonin në deklaratat e Ahmetajt një vit më parë, tashmë kanë kuptuar se ato janë vërtetuar. Sipas tij, intervista e fundit dëshmon seriozitetin, integritetin politik, profesional dhe atdhetar të Ahmetajt, i cili, sipas Metës, nuk po vepron më vetëm si dëshmitar apo denoncues.

Meta thekson se Ahmetaj ka ndërmarrë një hap më të madh politik, duke vendosur të çmontojë atë që ai e cilëson si organizatë kriminale dhe duke u shndërruar në një zë për socialistët e zhgënjyer, të mashtruar dhe të shantazhuar nga pushteti aktual. Ai shton se Ahmetaj po flet në emër të socialistëve dhe po i ndan ata nga struktura që, sipas tij, ka kapur shtetin dhe qeverisjen.

Sipas Metës, me denoncimet e bëra dhe qëndrimin publik, Ahmetaj ka rimarrë lidershipin e luftës kundër korrupsionit dhe ka fituar besimin e shumë njerëzve të ndershëm brenda Partisë Socialiste dhe administratës. Ai veçon veçanërisht deklaratat për çështjet portuale dhe ndikimin e tyre në ekonominë dhe sigurinë e vendit, duke i konsideruar ato si problem madhor kombëtar.

Në përmbyllje, Meta e krahason Ahmetajn me politikanë të njohur grekë që, gjatë periudhës së juntës ushtarake, vepruan nga jashtë vendit për të ardhmen demokratike të Greqisë, duke nënvizuar se edhe Ahmetaj, sipas tij, po përpiqet të luajë një rol të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related