Komisioni i përhershëm i Gjuhësisë dhe i Letërsisë u mblodh në fillim të janarit në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për të analizuar veprimtarinë e vitit 2025 dhe për të planifikuar projektet dhe aktivitetet shkencore që do të zhvillohen gjatë vitit 2026.
Në qendër të takimit ishin kërkimet shkencore në fushën e gjuhësisë, problematikat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkolla, si dhe organizimi i veprimtarive përkujtimore dhe jubilare kushtuar personaliteteve me kontribute të rëndësishme në albanologji dhe gjuhësi.
Mbledhja u zhvillua më 8 janar dhe u drejtua nga kryetarja e Komisionit, prof. dr. Anila Omari, e cila paraqiti një raport të detajuar mbi aktivitetin e Komisionit gjatë vitit 2025. Në takim morën pjesë edhe sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave, akad. Anila Hoda, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, akad. Gëzim Hoxha, si dhe anëtarë të komisionit dhe të grupeve të punës.
Diskutimet për vitin 2026 u përqendruan në propozimin e konferencave shkencore, tryezave të rrumbullakëta dhe ligjëratave mbi çështje prioritare si morfologjia dhe drejtshkrimi i gjuhës shqipe, hartimi i platformave për kulturën dhe kujdesin ndaj gjuhës, si dhe trajtimi i problematikave terminologjike në bashkëpunim me komisione të tjera shkencore, përfshirë ato të drejtësisë, matematikës dhe informatikës.
Gjithashtu, u diskutua nevoja për organizimin e veprimtarive shkencore përkujtimore dhe jubilare, me qëllim nxjerrjen në pah të figurave dhe veprave me ndikim të veçantë në fushën e gjuhësisë dhe albanologjisë shqiptare.
Në përmbyllje të mbledhjes, akad. Anila Hoda dhe akad. Gëzim Hoxha dhanë orientime për përgatitjen sa më cilësore të draft-projekteve, duke theksuar rëndësinë e një planifikimi të mirëstrukturuar dhe bashkëpunimit ndërdisiplinor për realizimin e suksesshëm të veprimtarive të vitit 2026.
