Berisha njofton heqjen e kufizimit për udhëtimin në SHBA, deputetët e PD e urojnë në grupin parlamentar

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të enjte se pas më shumë se pesë vitesh nuk ka më kufizime për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë një komunikimi me gazetarët, Berisha tha se masa që e pengonte hyrjen në SHBA ka marrë fund, ndërsa theksoi se bëhej fjalë për një kufizim vizash dhe jo për atë që në diskursin publik është cilësuar si “non grata”.

“Unë u ktheva. Nuk kam qenë kurrë non grata, por ka ekzistuar një sanksion që lidhej me hyrjen në SHBA”, u shpreh ai.

Pas deklaratës së Berishës, në grupin parlamentar të Partisë Demokratike kanë nisur urimet nga deputetë dhe drejtues të forcës politike, të cilët e kanë konsideruar zhvillimin si një fitore politike dhe morale për liderin demokrat.

Një prej reagimeve që ka tërhequr vëmendje është ai i deputetit Arjan Ndoji, i cili përmes një mesazhi në grupin e komunikimit të PD-së ka uruar Berishën, duke kujtuar edhe debatet e mëparshme brenda partisë.

“Urime Doktor. Për të gjithë ata që brenda forcës politike thanë se po mbronit veten nëpërmjet Partisë, i përshëndesim dhe i urojmë të mos nxitojnë në gjykimet e tyre. Për të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike kjo është një fitore dhe duhet kapitalizuar në procesin e përditshëm politik”, shkruan Ndoji.

Deklarata e Berishës ka sjellë reagime të shumta në politikën shqiptare, ndërsa deri tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar publik nga autoritetet amerikane lidhur me statusin e tij aktual dhe nëse ndryshimi i mundshëm prek edhe anëtarët e familjes së tij.

Çështja pritet të mbetet në qendër të debatit politik në ditët në vijim, ndërsa opozita e konsideron këtë zhvillim si një moment me rëndësi të veçantë për Partinë Demokratike dhe mbështetësit e saj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related