Përmbytjet e ditëve të fundit kanë goditur rëndë zonën e Torovicës në Lezhë, ku rreth dy të tretat e sipërfaqes bujqësore prej 2 500 hektarësh ndodhen ende nën ujë. Dëmet për fermerët konsiderohen të mëdha, ndërsa qëndrimi i ujit për një kohë të gjatë rrezikon të sjellë humbje serioze në prodhimin bujqësor.
Prej tre ditësh, fushat e Torovicës vijojnë të jenë të përmbytura dhe procesi i kullimit pritet të zgjasë, duke vënë në rrezik të gjithë sezonin e korrjeve. Sipas fermerëve dhe specialistëve të bujqësisë, ekziston mundësia që këtë vit të mos ketë fare prodhim gruri, çka do të sillte pasoja të rënda ekonomike për banorët e zonës.
Në terren ka qenë edhe deputeti i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, i cili u takua me banorët dhe vlerësoi se kjo situatë nuk është e re, por një problem që përsëritet çdo vit. Sipas tij, qeveria duhet të marrë përgjegjësi dhe të ndërhyjë konkretisht, në vend që të justifikohet vetëm me faktorët natyrorë.
Gjekmarkaj theksoi se ndërhyrja në hidrovorin e Balldrenit është emergjente, pasi ky objekt aktualisht nuk funksionon siç duhet për shkak të mungesës së investimeve. Ai kujtoi se investimi është premtuar prej vitesh, por nuk është realizuar kurrë, duke e lënë zonën të pambrojtur përballë përmbytjeve të vazhdueshme.
