Vendimi i Apelit për masën ndaj Ballukut ende pa rekurs në Gjykatën e Lartë, avokatët: Vendimi është printuar gabim

Data

Kanë kaluar dhjetë ditë nga dorëzimi i vendimit të zbardhur të Apelit për masat e sigurisë ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe dy drejtorëve Gentian Gjyli e Erald Elezi, por deri më tani nuk është depozituar asnjë rekurs kundërshtues në Gjykatën e Lartë.

Gazetarja Anila Hoxha ka kontaktuar avokatët mbrojtës të të dyshuarve, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë mundur të paraqesin rekursin për shkak të problemeve teknike me vendimin e zbardhur. Sipas tyre, dokumenti është i vështirë për t’u lexuar, pasi është printuar në mënyrë të gabuar.

“Vendimi lexohet me shumë vështirësi sepse është printuar në eco mode”, deklaroi avokati Julian Mërtiri, përfaqësues i Erald Elezit. Të njëjtin shqetësim kanë ngritur edhe avokatët Andi Skënderi dhe Ardian Kalia, të cilët thanë se i janë drejtuar Apelit të Posaçëm me kërkesë që vendimi t’u ridërgohet i printuar qartë dhe në mënyrë të rregullt.

Në vendimin e Apelit argumentohet arsyeja pse u la në fuqi masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku. Vendimi u është dorëzuar avokatëve më 30 dhjetor, ndërsa dy zyrtarët e tjerë vijojnë të jenë nën masën e arrestit shtëpiak.

Sipas arsyetimit të gjyqtares Miliana Muça, ekziston rreziku që Balluku t’i shmanget drejtësisë, duke u bazuar në marzhin e dënimit që parashikon akuza për shkelje të barazisë në tendera. Për këtë arsye, Apeli ka vendosur mbajtjen e bllokuar të pasaportës së saj.

Sa i përket masës së pezullimit nga detyra, Apeli ka sqaruar se nuk mund të shprehet për këtë çështje për aq kohë sa ajo është nën shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Vendimmarrja përfundimtare pritet pas seancës plenare të Kushtetueses, e cila është parashikuar të zhvillohet më 22 janar 2026.

Në këto kushte, depozitimi i rekursit në Gjykatën e Lartë mbetet pezull, deri në pajisjen e mbrojtjes me një kopje të lexueshme të vendimit të Apelit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related