Aksi Gjirokastër–Tepelenë i kalueshëm vetëm në një kah, rrëshqitjet e dherave krijojnë vështirësi

Data

Moti i keq vijon të shkaktojë probleme në qarkullimin rrugor në jug të vendit. Aksi nacional Gjirokastër–Tepelenë, në zonën e njohur si Shkalla e Zezë, është aktualisht i kalueshëm vetëm në një kah, për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe pranisë së inertëve në rrugë.

Prani dherash dhe uji raportohet edhe në disa segmente të tjera rrugore, përfshirë Gjirokastër–Kakavijë, Ura e Kardhiqit–Skërficë dhe Ura e Leklit–Këlcyrë, ku qarkullimi po kryhet me vështirësi.

Probleme janë evidentuar edhe brenda qytetit të Gjirokastrës, ku rrëshqitje dherash kanë prekur disa rrugëkalime në lagjet Cfakë, Manalat, Dunavat dhe Granicë.

Situata paraqitet problematike edhe në rrugët rurale që lidhin fshatrat Dhoksat–Qesarat–Këllëz, Mingul dhe Gjat në Njësinë Administrative Lunxhëri, si dhe në fshatrat Tërbuq dhe Labovë, ku prania e dherave ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, ndërsa strukturat përkatëse janë në terren për pastrimin e akseve dhe monitorimin e situatës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related