Kryetari i Partia Republikane, Fatmir Mediu, ngriti alarmin në konferencën e OSBE për luftën kundër krimit të organizuar, duke deklaruar se rrjetet kriminale po depërtojnë gjithnjë e më shumë në politikë, ekonomi dhe institucione shtetërore.
Në fjalën e tij, Mediu u ndal te rreziku i trafikut të drogës sintetike dhe veçanërisht i fentanilit, duke e cilësuar atë jo vetëm krizë të shëndetit publik, por edhe kërcënim për sigurinë kombëtare dhe demokracinë.
Sipas tij, organizatat kriminale nuk funksionojnë më si grupe tradicionale mafioze, por si “korporata shumëkombëshe” me rrjete financiare, logjistike, kibernetike dhe ndikim politik.
“Rreziku i vërtetë është infiltrimi”, deklaroi Mediu, duke shtuar se paratë e drogës po investohen në sektorë strategjikë si ndërtimi, turizmi, energjia, infrastruktura dhe media.
Ai paralajmëroi se përmes pastrimit të parave, krimi i organizuar po deformon ekonominë e lirë dhe po cenon demokracinë.
“Kur paratë e pista hyjnë në politikë, vetë demokracia bëhet e cenueshme dhe kthehet kundër qytetarëve”, tha Mediu.
Kreu i republikanëve deklaroi se në vende si Shqipëria po krijohet një lidhje e rrezikshme mes krimit të organizuar, korrupsionit, institucioneve të dobëta dhe ndikimeve të huaja.
Ai përmendi edhe shqetësimet e ngritura nga administrata e Donald Trump për korrupsionin dhe lidhjet e krimit në Ballkan, duke paralajmëruar se kjo situatë krijon një “mjedis sigurie të kapur”, ku rrjetet kriminale bëhen më të fuqishme se vetë shteti.
Në përfundim, Mediu bëri thirrje për bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar në luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, përfshirë hetime të përbashkëta financiare, siguri më të fortë kufitare dhe luftë ndaj korrupsionit të lidhur me krimin e organizuar.
