Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndërtimin e një sistemi të thellë korrupsioni, duke e cilësuar situatën politike në vend si të kapur dhe pa zgjedhje reale.
Në një intervistë televizive, Lapaj vlerësoi punën e SPAK, por theksoi se drejtësia, për të qenë efektive, ka nevojë edhe për mbështetjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve. Sipas tij, drejtësia është një mekanizëm korrigjues, por nuk mund të përballojë e vetme një sistem të kalbur politik.
Duke folur për protestën e organizuar para Kryeministrisë, Lapaj u ndal edhe te ajo që ai e quajti “vija e kuqe”, duke theksuar se ndalesa e vetme është frika, ndërsa qëllimi kryesor mbetet thyerja e sistemit aktual.
“Ky ka ndërtuar një sistem që projekton votën. Në Shqipëri nuk ka zgjedhje, ka vetëm votime. E kam parë nga afër: falen gjoba, jepen para dhe bonuse pak ditë para zgjedhjeve. Kjo është blerje vote,” u shpreh Lapaj.
Ai foli për nevojën e një qeverie tranzitore me mandat njëvjeçar, e cila do të kishte për detyrë organizimin e zgjedhjeve të para realisht demokratike. Sipas tij, tre muaj para zgjedhjeve nuk duhet të ketë legalizime, investime apo vendime me ndikim elektoral.
Lapaj theksoi se një qeveri e përkohshme duhet të përbëhet nga individë pa ndikim partiak, në mënyrë që vota e qytetarëve të jetë e lirë dhe jo e imponuar.
I pyetur se cila do të ishte “vija e kuqe” që do ta ndalte protestën dhe nëse ishte gati ta kalonte atë, Lapaj u shpreh se shoqëria shqiptare është e frikësuar dhe e lodhur nga presioni dhe hallet ekonomike.
“Kam pritur që të ketë më shumë njerëz. Shoqëria është e trembur deri në palcë, ndërsa një pjesë është e korruptuar përmes halleve. Ky vend po na ikën nga duart. Nuk bëhet fjalë se kush do të bëhet kryeministër, por për të drejtat e qytetarëve shqiptarë, shumica e të cilëve jetojnë jashtë vendit,” përfundoi ai.
