Trekëndëshi Dubai–Holandë–Tiranë/ Zbulohen dhjetëra milionë euro të grupit nga Elbasani

Data

Një hetim ndërkombëtar ka zbuluar një nga skemat më të sofistikuara të pastrimit të parave të grupeve kriminale shqiptare, me degëzime në Dubai, Holandë dhe Shqipëri. Dosja, e njohur si “dosja kripto e Çopjave”, nxjerr në pah mënyrën se si miliona euro nga trafiku i drogës janë qarkulluar përmes një sistemi financiar paralel, kryesisht përmes kriptomonedhave.

Hetimi nisi në vitin 2021, pas një kontrolli të autoriteteve spanjolle në kuadër të një çështjeje për trafik kokaine. Gjatë kontrollit u sekuestruan shuma cash dhe disa kartëmonedha 5-euroshe me shënime të shkruara me dorë. Këto shënime rezultuan të ishin një lloj “fature dore”, që përmbanin të dhëna mbi persona dhe role kyçe në menaxhimin financiar të aktivitetit kriminal.

Pas analizimit të materialeve, Guardia Civil njoftoi Europol-in, duke hapur rrugën për një hetim të shtrirë në disa shtete. U zbulua se paratë e trafikut të drogës qarkullonin përmes portofolëve virtualë të enkriptuar, duke shmangur sistemin bankar tradicional dhe duke u bërë të vështira për t’u gjurmuar.

Në këtë fazë u përfshi edhe Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, e cila, në bashkëpunim me Europol dhe autoritetet e huaja, nisi gjurmimin e transaksioneve në blockchain. Hetuesit zbuluan se kriptomonedhat përdoreshin si mjet për të transferuar fitimet kriminale, të cilat më pas investoheshin në pasuri të paluajtshme, vila dhe biznese formalisht të ligjshme në Shqipëri.

Ekspertë të fushës theksojnë se identifikimi i autorëve bëhet i mundur kryesisht në momentin e konvertimit të kriptomonedhave në para reale, përmes platformave “exchange”, ku krijohet lidhja mes portofolit virtual dhe individit konkret.

Si rezultat i këtij operacioni, autoritetet sekuestruan mbi 35 milionë euro në total: rreth 25 milionë euro në Spanjë dhe mbi 10 milionë euro në Shqipëri, me urdhër të SPAK. Goditja konsiderohet një nga më të mëdhatë ndaj ashtuquajturave “banka të nëndheshme” të krimit të organizuar shqiptar.

Hetimi shënon një fazë të re në luftën kundër pastrimit të parave, ku provat nuk janë më vetëm dokumente fizike apo llogari bankare, por kode dixhitale dhe zinxhirë transaksionesh në blockchain, të cilat kërkojnë ekspertizë të specializuar në financën dhe krimin kibernetik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related