Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në disa qytete të vendit, duke e lidhur situatën me ndotjen mjedisore dhe hedhjen e mbeturinave nga qytetarët.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama publikoi një foto nga zona e Shkozetës, ku shihen grumbuj mbeturinash që sipas tij kanë bllokuar kanalet kulluese, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmbytje.
Kreu i qeverisë thekson se hedhja e plehrave dhe shisheve plastike në fusha dhe anët e rrugëve, gjatë reshjeve të forta, sjell grumbullimin e tyre në grykat e kanaleve, të cilat bllokohen dhe nuk lejojnë shkarkimin normal të ujit drejt detit.
Sipas Ramës, në rastet kur reshjet janë shumë intensive, si ato të ditëve të fundit, kanalet e bllokuara nuk arrijnë të përballojnë prurjet e mëdha të ujit, duke sjellë përmbytje në zona urbane dhe rurale.
