Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër lidhur me hetimet e SPAK, duke deklaruar se dosjet që lidhen me Belinda Ballukun dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit përbëjnë prova të rënda që, sipas tij, tronditin themelet e qeverisë Rama.
Salianji thekson se, pavarësisht pengesave politike dhe tentativave për bllokim, SPAK ka faktuar atë që opozita ka denoncuar prej vitesh: ekzistencën e një krimi të organizuar qeveritar të lidhur me tendera, abuzime financiare dhe cenim të sigurisë kombëtare.
Sipas tij, dosjet “Balluku” dhe AKSH nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një skeme të strukturuar, ku institucionet janë përdorur për interesa klienteliste dhe kriminale. Ai sjell në vëmendje hetimet e kryera nga Komisioni Hetimor Parlamentar për sistemin TIMS, të cilin ai e drejtoi, ku u evidentua rreziku real i vjedhjes, transferimit dhe manipulimit të të dhënave sensitive shtetërore në favor të grupeve të krimit të organizuar.
Salianji akuzon deputetët e mazhorancës se nuk u sollën si përfaqësues të interesit publik, por si një mekanizëm mbrojtës politik, duke refuzuar me votë marrjen në pyetje të personave dhe kompanive kyçe, pavarësisht fakteve dhe indicieve të rënda të paraqitura në Komision.
Sipas tij, ky refuzim nuk ishte rastësi, por një përpjekje e qëllimshme për të mbuluar të vërtetën dhe për të penguar hetimin parlamentar dhe institucional.
Ai thekson se sot SPAK ka konfirmuar zyrtarisht atë që u denoncua publikisht gjatë hetimit parlamentar: përfshirjen e kompanive private në veprimtari kriminale, diktimin e kritereve të tenderimit, ushtrimin e presionit dhe dhunës ndaj konkurrentëve, bashkëpunimin me grupe kriminale të strukturuara dhe dyfishimin e çmimeve me miliona euro në bashkëpunim me zyrtarë shtetërorë.
Salianji nënvizon se ndërhyrja në sistemin TIMS nuk është thjesht çështje korrupsioni, por një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, integritetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve te shteti.
Në përfundim, ai deklaron se e vërteta po del në dritë dhe se asnjë pengesë politike, asnjë zvarritje dhe asnjë presion nuk mund ta ndalë drejtësinë.
“Pengimi i drejtësisë nuk shpëton askënd nga përgjegjësia,” përfundon Salianji.
