Moti i keq ka goditur Vlorën, duke sjellë pezullimin total të lundrimeve dhe bllokimin e aktivitetit detar. Era e fortë bregdetare ka arritur shpejtësi rreth 15 metra për sekondë, ndërsa dallgët kanë shkuar deri në 1.5 metra, duke e bërë detin të rrezikshëm për çdo mjet lundrues.
Si pasojë, mjetet e peshkimit dhe anijet e vogla nuk kanë dalë në det, ndërsa autoritetet portuale kanë marrë masë emergjente për ndalimin e lëvizjeve detare.
Situata ka detyruar edhe anulimin e udhëtimit të tragetit të linjës Vlorë–Brindisi, një goditje e fortë për udhëtarët dhe transportin detar. Trageti aktualisht qëndron në det të hapur, për të shmangur rrezikun e përplasjeve me kalatat e portit, pasi forca e dallgëve vijon të jetë në rritje.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal, ndërsa pritet përmirësimi i kushteve atmosferike për rikthimin e lundrimit normal. Deti mbetet i trazuar dhe çdo dalje në ujë konsiderohet rrezik serioz për jetën.
