Kushtet e pafavorshme të motit kanë ndikuar edhe në operimet ajrore në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës gjatë 24 orëve të fundit, duke sjellë devijime dhe vonesa në disa fluturime.
Sipas njoftimit zyrtar, mbrëmjen e datës 5 janar, dy fluturime në ardhje janë detyruar të devijojnë drejt Barit, për shkak të pamundësisë për të realizuar uljen në mënyrë të sigurt në Rinas.
Edhe gjatë ditës së sotme janë shënuar fenomene meteorologjike të lokalizuara në zonat përreth aeroportit. Stafet përgjegjëse për menaxhimin e trafikut ajror kanë akomoduar kërkesat e pilotëve për të shmangur këto fenomene gjatë fazave të fluturimit, duke garantuar sigurinë e pasagjerëve.
Gjatë orëve të natës, konkretisht nga ora 01:30 deri në 03:30, pesë fluturime me destinacion Bologna, Milano, Torino, Bari dhe Këln janë devijuar drejt aeroporteve të Brindisit dhe Barit, për shkak të kushteve të rënduara atmosferike.
Autoritetet bëjnë me dije se operimet ajrore gjatë ditës së sotme po vijojnë normalisht, megjithatë nuk përjashtohet mundësia e vonesave të tjera në varësi të zhvillimit të situatës meteorologjike.
