Europa nën pushtetin e motit ekstrem: Përmbytje, stuhi dhe të paktën 6 viktima, kaos në transport

Data

Europa po përballet me një valë të ashpër moti ekstrem, e cila ka shuar shpejt atmosferën festive dhe ka sjellë viktima, përmbytje, ndërprerje energjie dhe paralizim të udhëtimeve në disa shtete.

Në rajonin e Ballkanit, reshjet e dendura të shiut dhe borës kanë shkaktuar pasoja të rënda. Në Bosnje dhe Hercegovinë, një grua humbi jetën pasi u godit nga një pemë që u rrëzua për shkak të peshës së borës, ndërsa në Sarajevë u regjistruan deri në 40 centimetra dëborë, duke vështirësuar qarkullimin dhe shërbimet emergjente.

Situata mbetet kritike edhe në Europën Perëndimore. Në Holandë, reshjet e dendura të borës paralizuan transportin ajror, duke çuar në anulimin e rreth 600 fluturimeve në aeroportin e Amsterdamit. Ekipet e emergjencës dhe aeroportit kanë punuar pa ndërprerje për pastrimin e pistave dhe shkrirjen e akullit, ndërsa parashikimet flasin për përkeqësim të mëtejshëm të motit.

Bilancin më të rëndë të viktimave e shënon Franca, me pesë persona të vdekur. Tre prej tyre humbën jetën në aksidente rrugore të shkaktuara nga akulli i zi, ndërsa një shofer taksie ndërroi jetë pasi automjeti i tij doli nga rruga dhe përfundoi në një lumë pranë Parisit.

Në Itali, reshjet e vazhdueshme të shiut kanë rritur ndjeshëm nivelin e lumit Tiber, i cili doli nga shtrati në disa zona të Romës, duke ndikuar edhe në aktivitetet fetare të Epifanisë. Autoritetet lokale kanë kufizuar aksesin në parqe dhe zona të rrezikuara nga përmbytjet dhe rrëzimi i pemëve.

Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat kanë zbritur deri në –12.5 gradë Celsius, duke sjellë ndërprerje të udhëtimeve hekurudhore, rrugore dhe ajrore, si dhe mbylljen e qindra shkollave.

Moti i keq vijon të shkaktojë probleme edhe në Serbi, Kroaci dhe Mal të Zi, ku disa komuna kanë shpallur masa të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve, erërave të forta dhe detit të trazuar përgjatë bregdetit Adriatik.

Autoritetet në të gjithë kontinentin u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, ndërsa paralajmërohet se kushtet e rënda atmosferike mund të zgjasin edhe ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related