Mediat amerikane raportojnë se presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, kanë pësuar lëndime gjatë një operacioni sekret të Shteteve të Bashkuara, i zhvilluar në orët e para të mëngjesit në kryeqytetin Caracas.
Sipas raportimeve, lëndimet nuk kanë ardhur si pasojë e një përplasjeje të drejtpërdrejtë me forcat amerikane. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se çifti u lëndua ndërsa përpiqej të fshihej në panik brenda kompleksit të tyre rezidencial, duke u përplasur me dyer dhe mure gjatë kaosit të operacionit. Bëhet fjalë për mavijosje dhe dëmtime të lehta, pa shenja të përdorimit të dhunës së drejtpërdrejtë nga forcat speciale.
Operacioni, i përfunduar pak para orës 03:00 të mëngjesit të 3 janarit, zgjati rreth 2 orë e 28 minuta dhe konsiderohet një nga ndërhyrjet më të ndjeshme dhe kontraverse të SHBA-së në Venezuelë.
Arrestimi u krye brenda Fuerte Tiuna, baza më e madhe ushtarake e Caracasit, ku ndodhej rezidenca e çiftit presidencial. Forcat amerikane, të mbështetura nga një operacion i gjerë ajror dhe detar, depërtuan në objekt duke përdorur mjete çorientuese për të neutralizuar rezistencën dhe për të siguruar zonën.
Pas neutralizimit të situatës, Maduro dhe Flores u transportuan jashtë Venezuelës dhe u dërguan në Shtetet e Bashkuara, ku iu nënshtruan kontrolleve mjekësore në një bazë ushtarake në veri të New York-ut.
Gjatë paraqitjes së parë pas arrestimit, bashkëshortja e presidentit kishte mavijosje të dukshme në fytyrë, ndërsa avokati i saj bëri të ditur se po kryhen vlerësime të mëtejshme mjekësore për dëmtime të mundshme. Edhe Maduro po mbahet nën monitorim për shkak të problemeve të mëparshme shëndetësore.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta politike dhe diplomatike, ndërsa priten zhvillime të reja mbi fatin e udhëheqësit venezuelian dhe pasojat ndërkombëtare të këtij operacioni.
