Ish-deputeti Myslim Murrizi ka reaguar me ironi dhe tone të forta ndaj mënyrës se si, sipas tij, po anashkalohet situata e rëndë e përmbytjeve në vend. Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehet se vëmendja publike dhe mediatike është përqendruar më shumë te zhvillime ndërkombëtare, si arrestimi i presidentit venezuelian Nicolas Maduro, sesa te problemet reale që po përballen qytetarët shqiptarë.
Murrizi ironizon analistët dhe komentatorët që, sipas tij, janë shndërruar në “ekspertë të së drejtës ndërkombëtare”, duke debatuar për shkelje sovraniteti, ndërkohë që qytete të tëra në Shqipëri janë nën ujë për shkak të reshjeve të dendura dhe dështimit të infrastrukturës.
Ai përdor një gjuhë figurative, duke e krahasuar situatën me një “hasmëri sipas Kanunit”, dhe shprehet se kjo çështje “nuk lahet kollaj” dhe nuk do të mbyllet pa pasoja të rënda. Sipas Murrizit, problemi i vërtetë nuk janë debatet globale, por përmbytjet e përditshme dhe pasojat e ndërtimit dhe menaxhimit të dobët urban në vend.
