Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e shpërthimit me tritol në panelin e matësve të energjisë elektrike të një pallati, duke arrestuar katër persona si të dyshuar të përfshirë në këtë akt kriminal.
Operacioni policor i koduar “SHADOWS” u finalizua pas një pune intensive operative dhe hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Në pranga ranë shtetasit G. B., 27 vjeç, E. I., 27 vjeç, E. H., 25 vjeç dhe Gj. Z., 24 vjeç.
Sipas hetimeve, më datë 29.12.2025, këta shtetas dyshohet se, kundrejt pagesës dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vendosur dhe shpërthyer një sasi lënde eksplozive, të dyshuar me telekomandim në distancë, në panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesa, ambiente dhe persona, policia ka sekuestruar si prova materiale: 28 telefona celularë, një automjet “Mercedes-Benz”, veshjet e autorit të dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, shuma parash në lekë dhe euro, lëndë narkotike, përfshirë kokainë, tre pajisje gjurmuese GPS, dy kamera sigurie dhe një laptop.
Policia vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim, si dhe “Prishja e qetësisë publike”.
