Analisti Frrok Çupi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Sali Berishës, i cili ka komentuar aksionin e SHBA-ve në Venezuelë dhe arrestimin e presidentit Nicolas Maduro, duke e interpretuar si një paralajmërim për kryeministrin Edi Rama. Sipas Çupit, kjo sjellje e Berishës është jo vetëm qesharake, por edhe dëshmi e frikës së thellë që ai ka për veten e tij.
I ftuar në një emision televiziv, Çupi u shpreh se Berisha nuk po jep më mesazhe politike, por po flet i shtyrë nga paniku personal. Ai theksoi se krahasimi me Venezuelën dhe Maduron nuk ka asnjë logjikë politike, por buron nga frika e Berishës për përgjegjësitë që, sipas tij, e ndjekin prej dekadash.
“Është kthyer në një komedi tragjike. Është fyerje për vendin që kemi një opozitë të tillë. Berisha ka arritur të përvetësojë një aksion të SHBA-ve në Amerikën Latine dhe ta përdorë për hallet e veta. Po çfarë e lidh Berishën me Maduron? Asgjë, përveç frikës”, u shpreh Çupi.
Sipas analistit, Berisha e sheh veten në figurën e Maduros dhe jo Ramën, pasi, siç tha ai, ish-kryeministri ka më shumë krime dhe shkelje mbi supe. Çupi shtoi se Berisha është “më keq se Maduro”, duke e akuzuar për vjedhje votash, shkelje të rënda të ligjit dhe përplasje të vazhdueshme me SHBA-të.
“Berisha është i trembur dhe i frikësuar. Ai nuk flet më për vendin, por për veten. Forcat Delta kanë ardhur në Shqipëri për të mbrojtur Ambasadën Amerikane dhe ambasadoren nga Sali Berisha. Maduro është shumë i vogël krahasuar me Berishën”, deklaroi Çupi.
Në fund, analisti tha se retorika e Berishës për “afate” dhe “ndërhyrje amerikane” është një përpjekje e dëshpëruar për të mbajtur veten në qendër të vëmendjes, ndërkohë që, sipas tij, frika për drejtësinë po e shtyn drejt deklaratave gjithnjë e më ekstreme.
