“Hajduti në zyrë, qytetari në pranga” – Lapaj shpërthen: 53 milionë € vjedhje dhe pushteti mbyll sytë

Data

Adriatik Lapaj ka lëshuar një akuzë të fortë ndaj pushtetit, duke e cilësuar situatën aktuale si një padrejtësi flagrante dhe një tallje të hapur me qytetarët. Në një intervistë televizive, ai theksoi se është e papranueshme që një zëvendëskryeministre e akuzuar për vjedhjen e 53 milionë eurove vazhdon të qëndrojë në zyrë, ndërsa qytetarët që protestojnë në mënyrë paqësore përfundojnë në qeli.

Sipas Lapajt, kjo është fytyra reale e një sistemi të kalbur, ku pushteti mbron të fortët dhe ndëshkon qytetarët e zakonshëm. Ai e përshkroi këtë realitet si një “republikë të përmbysur”, ku hajdutët mbahen në poste dhe protestuesit trajtohen si kriminelë.

“Balluku që akuzohet për 53 milionë euro vjedhje rri në zyrë. Ndërsa katër qytetarë që protestojnë demokratikisht arrestohen. Kjo është padrejtësi e pastër. Kjo është republika që duhet thyer dhe shembur”, u shpreh Lapaj, duke bërë thirrje për reagim qytetar masiv.

Ai theksoi se protestat nuk janë për interesa personale, por për dinjitetin dhe të ardhmen e vendit, duke u kërkuar qytetarëve të mos zgjojnë vetëm kur preken individualisht, por të reagojnë për padrejtësinë kolektive.

Lapaj foli edhe për kushtet e vështira me të cilat po përballen protestuesit, duke theksuar se autoritetet kanë hequr çadrat, ngrohëset dhe çdo mjet elementar proteste, në përpjekje për ta shuar zërin kundërshtues.

“Një pjesë e jona e kaloi natën në shesh, pa ngrohje, pa çadra, pa asgjë. Kjo është mënyra se si pushteti tenton të na thyejë. Unë isha dje në spital, por jam ende këtu dhe do të vazhdoj sa të kem mundësi”, deklaroi ai.

Në fund, Lapaj nënvizoi se kjo betejë nuk është vetëm për një emër apo një dosje, por për parimin themelor të barazisë para ligjit, duke paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë derisa padrejtësia të marrë fund.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related