Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka mbyllur çdo derë për pazare politike, duke theksuar se protesta kundër regjimit nuk do të ndalet dhe se nuk negociohet pushteti me karrige apo tryeza formale. Në një intervistë televizive, Lapaj u shpreh qartë se beteja e tij është në shesh, me qytetarët, dhe jo në tavolina politike.
Lapaj deklaroi se protesta është zhvilluar duke respektuar të gjitha procedurat ligjore, përfshirë njoftimin e Policisë katër ditë përpara, por sipas tij, reagimi i forcave të rendit ka qenë i dhunshëm dhe i pajustifikuar. Ai akuzoi policinë se hoqi çadrat pa asnjë paralajmërim dhe përdori civilë për të fotografuar protestuesit, madje ndërhyri edhe gjatë natës për të çmontuar kampin për herë të dytë.
“Standardin e çadrave në bulevard e ka vendosur Rama që në vitin 2009. Ato u hoqën dhunshëm, pa njoftim dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën time. Do të bëj ankesa pranë AMP, sepse sjellja e tyre ishte e shëmtuar dhe e rrezikshme,” u shpreh Lapaj.
I pyetur për ftesën e Sali Berishës për dialog dhe tryezë politike, Lapaj ishte kategorik: nuk i duhen tryeza, por qytetarë në shesh. Ai propozoi krijimin e një komiteti qytetar me përfaqësues nga organizata të ndryshme, që të ketë selinë në bulevard dhe të marrë vendime për largimin e Edi Ramës nga pushteti.
“Unë jam gati të bëj një hap pas, madje të jem thjesht një qytetar i zakonshëm, nëse kjo çon në largimin e Ramës. Por nuk negocioj me karrige dhe nuk bëj pazare politike,” theksoi ai.
Lapaj shtoi se qëllimi i pushtetit është shuarja e protestës përmes presionit dhe barbarisë, por theksoi se lëvizja nuk do të ndalet. Sipas tij, thelbi i protestës është ndërgjegjësimi për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe vendosja e dorëheqjes së Ramës në qendër të diskursit publik.
“Sheshet duhet të jenë plot. E kuptoj edhe humbjen e shpresës, sepse shumë njerëz kanë parë vetëm ikjen si zgjidhje. Por kjo nuk mund të jetë përgjigjja jonë,” përfundoi Lapaj.
