Diplomati Agim Nesho ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare, duke deklaruar se regjimi i Edi Ramës ka kaluar “vijën e kuqe” dhe është tashmë nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara. Në një intervistë televizive, Nesho e përshkroi Shqipërinë si një shtet autokratik, ku pushteti bashkëpunon me krimin e organizuar, duke e futur vendin në një zonë të rrezikshme gjeopolitike.
Sipas tij, zhvillimet e fundit ndërkombëtare, përfshirë operacionet amerikane dhe qëndrimin gjithnjë e më të ashpër të SHBA-së ndaj regjimeve të lidhura me krimin, tregojnë se bota ka hyrë në një rend të ri ndërkombëtar, ku askush nuk është i paprekshëm. Në këtë kontekst, Shqipëria nuk është më jashtë radarit.
Nesho theksoi se, edhe pse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, kjo nuk e mbron automatikisht një qeveri që, sipas tij, është faktuar se bashkëpunon me krimin e organizuar. Ai deklaroi se ekzistojnë fakte të njohura ndërkombëtarisht që lidhin regjimin e Ramës me struktura kriminale, duke e cilësuar këtë si arsye kryesore pse kryeministri ndodhet sot në një pozicion të brishtë përballë SHBA-së.
Sipas diplomatit, fakti që Rama prej kohësh nuk ka pasur takime zyrtare në SHBA dhe ka qenë i pranishëm vetëm në ceremoni private, tregon qartë se ai është vendosur nën një regjim vëzhgimi. “Kjo nuk është rastësi,” theksoi Nesho, duke shtuar se veprimet e kryeministrit e kanë futur atë në një spirale rreziku politik dhe diplomatik.
Në analizën e tij, Nesho deklaroi se kryeministri shqiptar ka humbur autoritetin institucional dhe ka tejkaluar kompetencat, duke u ekspozuar si figurë e lidhur me interesa kriminale. “Vija e kuqe është kaluar. Kur një regjim bashkëpunon me krimin e organizuar, rreziku bëhet real dhe ndërkombëtar,” u shpreh ai, duke paralajmëruar se pasojat mund të jenë të rënda jo vetëm për Ramën, por edhe për imazhin dhe stabilitetin e Shqipërisë.
Deklaratat e diplomatit vijnë në një moment tensioni të lartë politik dhe rrisin më tej debatin mbi raportet e pushtetit në Shqipëri me drejtësinë, krimin dhe aleatët strategjikë ndërkombëtarë.
