Altin Dumani raporton para Komisionit të Sigurisë në 15 maj, nga dekonspirimi i arrestimeve, te përfshirja e policisë në krimin e organizuar, kreu i SPAK do të jetë për herë të parë përballë Rithemelimit dhe Monika Kryemadhit pas fushatës së sulmeve ndaj tij

Data

Nëntë deputetë të opozitës, të cilët janë anëtarë të Komisionit të Sigurisë, kanë kërkuar dje teksa ishin në mbledhjen e këtij komisioni, një dëgjesë me kreun e SPAK, Altin Dumanin. Kërkesa e deputetëve të opozitës ka ardhur, pasi kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), bëri një deklaratë shqetësuese duke thënë se disa çështje nuk mund të hetohen dot në Policinë e Shtetit, për shkak se zyrtarë të lartë të saj kanë bashkëpunuar me krimin. Kështu që nisur nga ky shqetësim, deputetët e opozitës morën shkas nga kjo deklaratë dhe thanë se Dumani ka raportuat se nivelet e larta të Policisë së Shtetit kanë sabotuar hetime të rëndësishme, janë të pabesueshme si dhe kanë penguar hetimin e ngjarjeve të caktuara duke vështirësuar hetimet e SPAK. Për këtë arsye, ata kërkojnë Dumanin në mbledhjen më të afërt të këtij Komisioni, për të raportuar gjetjet e tij, dhe shqetësimet për këtë problematikë që e konsiderojnë si problem serioz për sigurinë kombëtare. Deputetët që kanë bërë kërkesën janë Ferdinand Xhaferi, Lindita Metaliaj, Isuf Çelaj, Flamur Noka, Asllan Dogjani, Ervin Salianji, Lefter Gështenja, Kasem Mahmutaj, si edhe Monika Kryemadhi. Kjo do të thotë se kreu i SPAK, Altin Dumani do të jetë për herë të parë pas fushatës së sulmeve përballë Rithemelimit dhe Monika Kryemadhit

Detajet

Në vijim në kërkesën e opozitës që e disponon gazeta “SOT”, citohet pjesa e plotë të deklaratës së Dumani lidhur me këtë skandal: “…Krijimi i një nukli të oficerëve të policisë gjyqësore në policinë e shtetit ku mund të adresojmë procedimet tona mund të bëhet, por ne bashkëpunojmë me strukturë të posaçme me drejtorinë e Policisë së Shtetit. Por janë një kategori çështjesh që ne nuk mund ti hetojmë me Policinë e Shtetit, sidomos ata kur përfshihen punonjësit e Policisë së Shtetit. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të Policisë së Shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe çështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në. Patjetër që bashkëpunojmë me policinë dhe kemi bashkëpunim të ngushtë”, tha Dumani para KLP-se..”. “Është hera e parë që artikulohet publikisht një akuzë kaq e rende publike nga nje drejtues i larte i organit të prokurorisë, ku qartazi akuzohen strukturat e larta të policisë së shtetit për përfshirje e tyre në trafiqe dhe kapjen e policisë së shtetit nga krimi i organizuar’ shprehen deputetët. Në këto kushte, si Komision i Sigurisë Kombëtare nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj këtyre informacioneve dhe këtij shqetësimi të përcjellë publikisht gjatë raportimit të punës së SPAK nga kreu i saj. Nisur nga sa sipër, bazuar në dispozitat e nenit 32, pika 2 dhe 36 pika 1 e Rregullores së Kuvendit, kërkojmë mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare për organizimin e një seance dëgjimore urgjente me kreun e SPAK z. Altin DUMANI, në mbledhjen më të afërt, në mënyrë që ky i fundit të na raportojë gjetjet dhe shqetësimet e tij për këtë problem tepër serioz të sigurisë kombëtare…”. Por Komisioni i Sigurisë Kombëtare nuk ka pranuar kërkesën e bërë nga 9 deputetë të opozitës. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço tha se kërkesën e opozitës ia ka dërguar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, që do ta shqyrtojë në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve. Në të njëjtën kohë Naço propozoi që kërkesa e opozitës të bëhet pjesë e axhendës së Komisionit të Ligjeve, i cili do të zhvillojë në 15 maj një seancë dëgjimor.

Çfarë deklaroi Dumani?

Ndërkohë kujtojmë se kreu i SPAK, Altin Dumani duke folur pak ditë më parë lidhur me raportin e këtij institucioni për vitin 2023, ndër të tjera ngriti shqetësimin për lidhjet e niveleve të larta të policisë rezultojnë të kenë bashkëpunuar me krimin e organizuar. “Krijimi i një nukli të oficerëve të policisë gjyqësore në policinë e shtetit ku mund të adresojmë procedimet tona mund të bëhet por ne bashkëpunojmë me strukturë të posaçme me drejtorinë e policisë së shtetit. Por janë një kategori çështjesh që ne nuk mund ti hetojmë me policinë e shtetit, sidomos ata kur përfshihen punonjësit e policisë së shtetit. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe çështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në. Patjetër që bashkëpunojmë me policinë dhe kemi bashkëpunim të ngushtë”, deklaroi Dumani para Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Sakaq, për deklaratën e Dumanit, ka reaguar më herët edhe ministri Taulant Balla, që ka thënë se bashkëpunimi i policisë me SPAK është i shkëlqyer dhe se nuk ka pasur dekonspirim në operacionet e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related