Alarm në Vaun e Dejës! Përroi i Glinës del nga shtrati, përmbytet unaza e qytetit dhe rrezikohen banesat

Data

Reshjet e dendura të shiut dhe moti i rënduar kanë sjellë një situatë alarmante në Vaun e Dejës, ku përroi i Glinës ka dalë nga shtrati, duke përmbytur zona të tëra dhe duke bllokuar unazën e qytetit. Si pasojë, qarkullimi është paralizuar, ndërsa uji po i afrohet banesave, duke rrezikuar seriozisht pronat e banorëve.

Situata paraqitet po aq problematike edhe në zonat përreth, pasi lumi Ishëm ka dalë nga shtrati në fshatrat Murqinë dhe Malkuç. Përmbytjet kanë mbuluar qindra hektarë tokë bujqësore, ndërsa dy lagje në fshatin Murqinë janë izoluar plotësisht nga uji.

Sipas informacioneve nga terreni, përkeqësimi i situatës lidhet edhe me mosfunksionimin e kanaleve kulluese. Fshatra si Bubqi, Gramza, Derveni, Luzi, Malkuçi, Murqina dhe Bilaj po përballen me rrugë të përmbytura dhe akse të bllokuara, duke vështirësuar lëvizjen dhe ndërhyrjen e shërbimeve emergjente.

Banorët shprehen të shqetësuar dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, pasi prurjet e ujit vijojnë të rriten dhe ekziston frika se përmbytjet mund të marrin përmasa edhe më të mëdha në orët në vijim. Situata mbetet nën monitorim, ndërsa moti i keq vazhdon të mbajë të gjithë zonën në ankth.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related