Një ngjarje shqetësuese është regjistruar në Has, ku një i mitur vetëm 14 vjeç është larguar nga banesa pasi ka marrë pa leje automjetin e të atit. Rasti është denoncuar nga familjarët pranë Komisariatit të Policisë Has, të cilët kanë kërkuar ndihmën e uniformave blu për gjetjen e tij.
Sipas njoftimit zyrtar, i mituri është larguar më datë 5 janar 2026 dhe që prej atij momenti nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Policia ka shpallur menjëherë 14-vjeçarin në kërkim dhe ka nisur kontrolle intensive në zonë, si dhe në akset rrugore përreth, me qëllim gjetjen e tij dhe kthimin e sigurt pranë familjes.
Autoritetet bëjnë me dije se po punohet pa ndërprerje dhe se çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e të miturit është i rëndësishëm. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia apelon për bashkëpunim nga qytetarët dhe thekson se prioritet mbetet siguria e të miturit dhe parandalimi i çdo rreziku të mundshëm.
