Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për drejtimin që po merr ekonomia shqiptare, duke e cilësuar modelin aktual si të pabalancuar dhe të rrezikshëm për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Në një reagim publik, Tabaku i referohet të dhënave të fundit ekonomike, sipas të cilave ekonomia vijon të shënojë rritje në letër, ndërsa kapacitetet prodhuese po tkurren. Industria dhe bujqësia, sipas saj, janë në rënie, ndërkohë që rritja ekonomike mbështetet kryesisht te turizmi, ndërtimi dhe shpenzimi publik.
“Shifrat nuk janë thjesht statistika. Janë një paralajmërim për drejtimin që po merr ekonomia shqiptare”, thekson Tabaku.
Ajo nënvizon se burimet ekonomike po zhvendosen nga prodhimi drejt fitimit të shpejtë, duke lënë pa mbështetje sektorët që krijojnë vlerë të shtuar reale dhe vende pune të qëndrueshme. Si pasojë, sipas saj, rriten kostot në ekonomi, dobësohen eksportet dhe prodhimi vendas po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga importet.
Në këtë kontekst, deputetja paralajmëron se Shqipëria po shndërrohet në një “ekonomi hoteli”, e varur nga sezoni dhe shërbimet.
“Nuk po ndërtojmë një ekonomi prodhimi. Po shesim shërbime, tokë dhe beton, ndërsa prodhimi dhe zinxhirët e vlerës po tkurren”, shprehet ajo.
Tabaku ndalet edhe te pasojat sociale të këtij modeli ekonomik, duke theksuar se rritja e kostos së jetesës, polarizimi social dhe dobësimi i shtresës së mesme janë tashmë të dukshme. Sipas saj, pagat po rriten jo si rezultat i rritjes së produktivitetit, por për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të shkaktuar nga emigracioni dhe kriza demografike.
Në përfundim, ajo thekson se një ekonomi e mbështetur vetëm në turizëm dhe ndërtim nuk mund të garantojë zhvillim të qëndrueshëm.
“Një vend nuk mund të bëhet i pasur duke i shërbyer turistëve dhe duke ndërtuar pafund. Pa industri, pa bujqësi konkurruese dhe pa dije teknike, rrezikojmë të mbetemi një vend pushimi për të tjerët, por jo një vend me fuqi reale ekonomike për qytetarët tanë”, përfundon Tabaku.
